Aktualitet

Diskutimi i Enverit: “Njollat e murrme” nuk më pëlqeu, është mikroborgjeze, se po t’ia shash brigadieren e ndershme një komunisti…

Nga L.B | 8 March, 2021 19:27

Memorie.al publikon historinë e panjohur të dramës “Njolla të murrme” të dramaturgut Minush Jero, e cila u vu fillimisht në skenë nga regjisori njohur Mihallaq Luarasi, në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku fitoi kupën e festivalit të teatrove dramatike dhe u vlerësua me superlative nga ana e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, por disa kohë më vonë kur ajo u shfaq në skenën e Teatrit Popullor në Tiranë, ku në lozhë ishte vetë Enver Hoxha, ajo u kritikua dhe u godit prej tij, si një dramë ‘ku nuk dilte forca e klasës punëtore dhe aty dominonin ndjenjat mikroborgjeze” etj. E gjitha fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai e ‘kryqëzoi’ atë pjesë dhe autorët e saj, duke i quajtur ‘njerëz me njolla’ si dhe diskutimet e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, si Miho Gjini etj., dhe aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, si: Spiro Urumi, Nikolin Xhoja, Llazar Ziu, etj., që lëshuan akuza të ashpra ndaj kolegëve të tyre që kishin interpretuar në atë pjesë, si dhe autokritika e dramaturgut Minush Jero dhe regjisorit, Luarasi, pas ‘rrufeve’ që lëshoi udhëheqësi kryesor i Partisë ndaj veprës së tyre!

Nga Dashnor Kaloçi

Drama “Njollat e murrme”, e autorit Minush Jero (që u interpretua në skenën e Teatrit të Metropolit në vitin 2016 në Tiranë), është një nga pjesët teatrale më të përfolura e të shumë diskutuara para viteve ’90-të dhe pothuaj gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Njolla të murrme”, vënë në skenë nga ana e regjisorit të njohur, Mihallaq Luarasi që u shfaq si premierë në takimin kombëtar të teatrove profesioniste në qytetin e Korçës në tetorin e vitit 1969, u vlerësua si e jashtëzakonshme edhe nga kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu dhe asaj i’u akordua çmimi i parë, por kur ajo u dha në Tiranë disa kohë më vonë, ku në lozhë ishte vetë udhëheqësi kryesorë i Partisë, Enver Hoxha, ajo u anatemua prej tij.

Në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, vetë Enver Hoxha i kushtoi asaj një nga pikat e rendit të ditës, madje duke e analizuar me detaje njësoj sikur të ishte një kritik letrar. Kjo gjë do të ishte vetëm prologu i një ‘furtune’ që po ndërmerrte Enver Hoxha ndaj njerëzve të letërsisë, artit e kulturës, e cila do të kulmonte me Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion, ku përsëri vetë Enveri do ta anatemonte dhe do të hidhej në një sulm të paparë ndaj autorëve të saj.

Ndërsa tashmë këto ngjarje janë të njohura, Memorie.al po publikon fjalën e Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së,  të vitit 1969, ku ai goditi për herë të parë “Njollat e murrme” dhe në numrat në vijim, do të publikojmë edhe “kryqëzimin” që i’u bë kësaj drame nga funksionarët e lartë të Artit e Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së, zyrtarët e Ministrisë dhe Kulturës, si dhe kolegët e Minush Jeros dhe Mihal Luarasit, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, të cilat i kemi nxjerrë nga dokumente sekrete (tashmë prej vitesh të deklasifikuara), që ndodhen në Arkivin Qëndror të Shtetit, fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, publikohen të plota dhe pa asnjë shkurtim.

Diskutimi i Enver Hoxhës në Sekretariatin e Komitetit Qëndror për dramën “Njolla të murrme”

SHOKU ENVER HOXHA: Përbri sukseseve të mëdha që kemi në të gjitha drejtimet, ne duhet të shikojmë drejt në sy edhe fenomenet negative që ekzistojnë akoma në shoqërinë tonë, të mos i nënvleftësojmë dhe të merremi më seriozisht me to, se pengojnë ecjen tonë përpara. Kur vërtetohen ngjarje si kjo e Tepelenës dhe partia thellohet në to, u bën analizën dhe i sheh më mirë, atëherë del sa të thella janë akoma të tilla mbeturina tek ne.

Kuptimin e konceptit “mbeturina” dhe rrezikshmërinë e influencës së tyre ideologjike ne nuk e zvogëlojmë, por të kemi shumë kujdes që të mos e zvogëlojmë as në opinion, prandaj ato t’i vlerësojmë në masën e nevojshme. Duhet ta kemi të qartë dhe t’a kuptojmë seriozisht se, derisa në organizatat bazë të partisë edhe ne masën e komunistëve, ku më shumë e ku më pak e disa herë edhe në formë të acaruar, shfaqen të tilla fenomene negative dhe udhëheqja kryesore në rreth dhe si rrjedhim edhe në bazë, e neglizhojnë luftën kundër tyre, domethënë, nuk bëjnë përpjekje për të analizuar e kuptuar thellë rrezikshmërinë që mund të sjellin ato dhe për t’i kapërcyer nuk përpiqen të gjejnë edhe metodat e luftës për t’ia arritur qëllimit, do të thotë se poshtë nuk e shikojnë si duhet këtë problem.

Nuk është e rastit ajo që themi nga hera se shokët sekretarë të parë, ose sekretarët e tjerë të komiteteve të partisë, nuk merren sa duhet dhe seriozisht me problemet ideologjike dhe shoqërore, që janë kyçi i të gjitha problemeve, megjithëse me këtë nuk dua të them se ata nuk merren fare. Këtu nuk është çështja te ndarja e punës, as që këtë punë ta bëjë ta zëmë në Gjirokastër vetëm shoku Sevo Tarifa, si sekretar i Komitetit të Partisë për këtë rreth, megjithëse e vërteta është që ai vetë përpiqet dhe, nga sa shoh, shkruan vazhdimisht në gazetën e rrethit, pregatit taliot për luftën kundër mbeturinave, ose Pano Çuka, që trajton në shtyp probleme kundër kishës dhe fesë, po nuk kam parë një artikull ose një studim për çështje ideologjike nga shoku Rrapo Dervishi.

Nuk interesohet vallë fare shoku Rrapo për këto probleme?! Për vete nuk e them dot se nuk interesohet, pse si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, ai merret dhe është në dijeni për çdo gjë që ndodh. Ai di çfarë bëhet, për shembull, në Lazarat, apo në Dropull. Ç’ka ngjarë në këtë apo atë organizatë bazë. Është e pamundur pra që shoku Rrapo të mos merret me probleme ideologjike, por një preokupacion të tillë teorik në shkallën që e meriton, se si duhet të zgjidhen këto, duket që nuk ka nga ana e tij dhe, natyrisht, po nuk pati, këto çështje që janë shumë serioze, nuk mund të zgjidhen si duhet.

Përparime si kudo ne kemi edhe në këtë fushë, prandaj s’ka përse të bëhemi pesimistë, por edhe të fluturojmë pa i parë thellë e seriozisht ato që na ngjasin, nuk na lejohet. Unë mendoj se teorikisht duhet t’i studiojmë këto çështje dhe jo vetëm t’i studiojmë, por pasi t’i zbulojmë, të veprojmë aktivisht për t’i zgjidhur, pse kam përshtypjen që nuk veprohet sa duhet aktivisht dhe poshtë shumë herë ekziston më shumë sëmundja e frazeologjisë dhe formave. Për të zgjidhur një çështje shoqërore, kuptohet sikur duhet të kalojmë medoemos nga format e caktuara, ndryshe na duket sikur nuk jemi në rregull.

Unë mendoj që format i krijon situata, i krijon lufta, i krijon veprimi. Në një rast një formë mund të jetë frytdhënëse, në një rast tjetër ajo mund të jetë e tepruar dhe frenuese, prandaj duhen bërë përpjekje që të gjendet rruga për zgjidhjen e problemeve nga më të ndryshmet që dalin në jetë dhe të mos mbetemi skllevër të formës, duke këshilluar skema, se duhet bërë kështu ose ashtu.

Kjo më duket mua, nuk është e drejtë. Mbrëmë pashë pjesën theatrale “Njollat e murrme” të shfaqur nga grupi i theatrit profesionist të Korçës. Unë duartrokita për aktorët se loznin mirë, sidomos për atë që luante rolin e doktorit dhe për mësuesen, po e vërteta është se pjesa nuk më pëlqeu aspak dhe pikërisht se i mungonte çështja esenciale. Skenën aty e dominojnë mikroborgjezët, ndjenjat mikroborgjeze të doktorit, të mësueses dhe djalit të tyre.

Ata që personifikonin Partinë dhe masat dhe bënin moralin, dilnin nga errësira, dilte njëri skutave, fliste pak dhe zhdukej, pastaj dilte fliste një tjetër dhe gjithashtu largohej, kurse tre personazhet kryesore që loznin shumë mirë rolet përkatëse, qëndronin vazhdimisht në skenë ku ç’faqnin ndjenjat e tyre mikroborgjeze. Skena zhvillohet në mënyrë të tillë që partia, nëpërmjet personazheve të tjerë, duket sikur vepron si prifti, del siç thashë njëri nga një skutë e errët, lëshon një batutë dhe ikën, pas tij një i dytë e kështu me radhë, ndërsa elementët mikroborgjezë veprojnë aktivisht, ndjekin rrugën e tyre, doktori bile arrin derisa lë një fëmijë të vdesë dhe asnjeri s’e shqetëson.

Mësuesja që paraqitet më e përparuar nga i shoqi, dominohet prej tij, ajo mbetet një mikroborgjeze e lëkundur deri në fund, ashtu siç mbetet gjer në fund një mikroborgjez dhe njeri i pandreqshëm, burri i saj, doktori. Sa për djalin, nuk merret vesh ç’bëhet, ndoqi rininë apo vazhdoi në rrugë të keqe duke kërcyer twist. Ku është në këtë dramë influenca e punës së partisë në familje? Vetëm kur djali i doktorit i’u sul Natashës për ta kapur, atëherë u dëgjua një zhurmë e madhe, dolën nga një qoshe të rinjtë që i bërtitën dhe ai u largua.

Publiku me këtë rast duartrokiti menjëherë se ndjente boshllëkun, e priste dhe e deshte një gjë të tillë. Në fund fare të gjithë kësaj pune, doli mësuesja që deklaroi se ne do t’i shkulim nga rrënjët këto ferra nga shoqëria jonë, por kjo ishte dhe mbeti vetëm një parullë e lëshuar nga një element me mbeturina të theksuara mikroborgjeze. Në një kohë që ne bëjmë revolucionarizimin e shkollës, autori përçon pikëpamjen sikur në shkollën tonë sundon dhe vendos elementi mikroborgjez.

Kjo del nga diskutimi dhe vendimi që u mor në Këshillin Pedagogjik për nxënësin revolucionar, i cili përjashtohet nga shkolla. Në fillim, çështjen e tij e mbron një mësuese e lëkundshme që është nën influencën e burrit të saj doktor, me ndjenja të forta mikroborgjeze.

Në fund të diskutimit, shtatë nga pedagogët janë për dënimin pa të drejtë të nxënësit, kurse gjashtë janë nga ana e tij. Elementët mikroborgjezë, duke filluar që nga drejtori i shkollës, janë të tërë sulmonjës. Kur kolegët e pyetën mësuesen, gruan e doktorit, që kish mbrojtur me parë çështjen e nxënësit, ç’mendon, si do të votojë, ajo nuk mban qëndrim dhe jep përgjigje se abstenon.

Nga i gjithë zhvillimi i ngjarjes, del sikur shkolla jonë është në duart e mikroborgjezeve, kurse në fakt nuk është ashtu. Duke analizuar në ketë prizëm përmbajtjen e kësaj pjese theatrale, sipas mendimit tim, ajo nuk e meriton çmimin e parë, dhënia e çmimit është gabim, bile shumë ofendues për inteligjencën tonë.

Mësuesit dhe doktorët atje ofendohen, shkolla jonë ofendohet, ofendohen punëtorët. Punëtori që është anëtar i këshillit të prindërve të kësaj shkolle, kur ngrihet të flasë, nuk thotë asgjë të rëndësishme, përveç vërejtjes që i bën doktorit përse të bashkohej i biri i tij me disa njerëz të këqij, në vend që në skenë të dëgjohej i fortë zëri i punëtorëve.

Kjo dramë nuk ndodh, përkundrazi, aty dominon doktori me pikëpamjet e tij të shtrembra, bile ai arrin sa të thotë më në fund se “këta’ po i harrojnë të mirat që i bëra unë. Analizat e ndjenjave që autori i quan “Njolla të murrme”, në dramë bëhet mirë. Këto shfaqje duhen vënë në dukje, por duhej nxjerrë njëkohësisht kundër tyre forca e madhe e partisë, që as zihet një herë në gojë.

Kjo forcë duhej të shihej qartë dhe kudo e jo skutave, si prifti. Partia duhet të vepronte në mënyrë që elementë intelektualë me mbeturina të theksuara mikroborgjeze, gradualisht të korrigjoheshin, të shkonin në rrugën e drejtë të popullit dhe të partisë dhe jo të lihet të vazhdojnë të veprojnë në pikëpamjet e tyre.

Në dramë duhet të dukej gjithashtu forca e madhe e klasës punëtore. Kjo dhe partia duhej të vepronin aty, puna e tyre edukuese duhet të influenconte pozitivisht mbi elementët negativë. Në dramë pra nuk ka veprim nga ana pozitive. Pikëpamjet që trajtohen e kanë nxitur autorin të përcaktojë edhe formën, ashtu si e ka menduar ai. Pra ajo është e dobët nga forma. Por, rëndësi, sipas mendimit tim, ka çështja e përmbajtjes. Spektatorët, pasi e shohin këtë pjesë, dalin të pasqaruar, pse doktori dhe gruaja e tij mësuese lakrat vazhdojnë t’i ruajnë në kokën e tyre, ata nuk ndreqen.

Gruaja e doktorit, mësuesja, del herë pas here në kundërshtim me burrin, megjithëse vazhdon të qëndrojë nën influencën e pikëpamjeve të tij. Pastaj është e pranueshme që në shkollën tonë të dominojë një grua për arsye se është e bukur dhe burrin e ka me funksione të larta, prandaj arsimtarët i’a kanë frikën.

Realiteti ynë nuk është i tillë, ai nuk mund të paraqitet në këtë mënyrë. Ose le të marrim çështjen e edukimit të rinisë në dramë. Rinia e shkollës vetëm sa kaloi një herë me tambura në skenë, pastaj gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjes, del vetëm nëpërmjet gojës së djalit të paedukuar të doktorit dhe mësues.

Elementet mikroborgjeze bëjnë në dramë edhe filozofi të lartë. Batutat vështirë të mbahen mend me një të dëgjuar, prandaj duhen lexuar se ndofta janë me përmbajtje të mirë dhe të drejta, por mendoj nuk janë për masën e popullit.

Përshtypja ime, megjithatë, është se batutat ishin të mira, të goditura, po masës së popullit nuk i mbetet gjë prej tyre. Si duhej vepruar kundër elementeve mikroborgjeze në këtë pjesë, vetëm me batutat?

Unë mendoj jo vetëm me batuta, po në radhë të parë me veprime, me aksione, me luftë, ndryshe nuk i shërbehet qëllimit. Nuk është e mjaftë vetëm me të shtruar të çështjes, ne duhet të përpiqemi në radhë të parë që ato t’i kuptojmë drejt ideologjikisht, po bashkë me këtë është i domosdoshëm edhe veprimi, aksioni për zgjidhjen drejt e gjer në fund të çdo problemi.

Ka çështje që kuptohen fare bukur ideologjikisht. E di tjetri që po t’i shash një komunisti brigadieren, kur është i bindur se kjo është e ndershme, nuk ta pranon dhe mban qëndrim. Po kjo s’mjafton, prandaj ai nuk duhet të presë sa të bëhet mbledhja e organizatës që t’ia raportojë, po kërkon të mblidhen menjëherë masat, pasi të ketë bërë përpjekje për të gjetur edhe atë që ka shpifur, që ai të dalë përpara popullit dhe aty përpara kolektivit të detyrohet shpifësi të pohojë çfarë ka thënë për brigadieren, pastaj, pasi të bëhet leckë nga të gjithë, të paralajmërohet se, po u dëgjua më edhe një herë për gjëra të kësaj natyre, do të dërgohet në Prokurori. Kështu që para se të orvatet të bëjë përsëri ndonjë shpifje tjetër, do të mendohet mirë.

Duke vepruar masat, partia, kësisoj elementi negativ do të frenohet dhe do të edukohet. Kështu duhen zgjidhur këto gjëra, të veprohet menjëherë dhe jo të pritet, duke thënë dale t’ia themi një herë sekretarit të organizatës, pastaj të presim e ta shohim. Këto janë probleme që natyrisht me një ditë, ose me një të thënë nuk zgjidhen. As me inat nuk bëhen këto punë, prandaj kërkohet kurdoherë gjakftohtësi dhe kujdes dhe t’u qëndrohet vazhdimisht në kokë, të luftohen menjëherë porsa shfaqen, ndryshe ato trashen dhe na sjellin dëme. Jam i mendimit se pas kësaj analize drejt kanë vepruar shokët që dërguam në rrethin e Tepelenës.

Mbetet tani që atyre që gabuan në këtë çështje dhe u shkarkuan nga detyrat që kishin, t’u gjejmë ndonjë punë, se poshtë nuk duhen hedhur. Ata vërtet kanë gabuar, por besoj që gabimin tani e kanë kuptuar, ndoshta teorikisht jo akoma në shkallën e duhur, por e kanë ndjerë, prandaj të kujdesemi që të edukohen, t’i ndihmojnë të korrigjojnë gabimet dhe të ndreqen. SHENIM: Materiali u nxuar nga manjetofoni nga Pandi Dini dhe u redaktua nga Sadik Myftiu e Vaske Diraoshi. Ndërsa pjesët me fjalën e shokut Enver i redaktoi Haxhi Kroi. Raporti i shokut Hysni për pikën e tretë të rendit të ditës pasi u nxuar nga manjetofoni e u redaktua, u pa nga vetë autori.

Share! Facebook Twitter Whatsapp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Ministri britanik i Shëndetësisë: Qëndroni të qetë dhe vazhdoni vaksinimin me AstraZeneca

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock kërkoi sot të vazhdohej procesi i vaksinimit kundër COVID-19 me AstraZeneca, duke siguruar se nuk kishte prova se ajo shkaktonte mpiksje gjaku. Përdorimi i kësaj vaksine u pezullua si masë parandaluese nga disa vende të shqetësuara për efekte të mundshme anësore. “Nuk ka prova që këto vaksina kanë shkaktuar […]

17 March, 2021 13:40 | 0 Komente
Aktualitet

LETRA/ Basha nuk e kandidoi në Vlorë, Këshilltari i Sigurisë në PD jep dorëheqjen. Gjeneral Ahmetaj: Sekserët kanë pushtuar të djathtën

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare pranë PD Piro Ahmetaj ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion. Ahmetaj ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme nga detyra përmes një letre drejtuat strukturave të PD-së. Në letrën drejtuar kreut te PD Lulzim Basha, Ahmetaj shpreh ndjesën për të gjithë ata që mund të ketë lënduar ose zhgënjyer me këtë akt. Ai shpreh […]

17 March, 2021 13:23 | 0 Komente
Aktualitet

Asgjë nuk është siç duket: Kulisat e fushatës, nga Meta te Basha

Fushata për zgjedhjet e 25 prillit, si kurrë ndonjëherë po shfaqet si një fushatë atipike dhe e tillë do të jetë deri në fund. Një fushatë e kondicionuar nga pandemia dhe rregullat anti-Covid, por edhe një fushatë ku nuk kemi vetëm dy palët në garë, ata në pushtet dhe ata në opozitë, por shumë faktorë […]

17 March, 2021 13:19 | 0 Komente
Aktualitet

Sadiku në histori, shqiptari i parë në Copa Liberatores

Transferimi në Bolivinë e largët i befasoi të gjithë. Por, Armando Sadiku hyn në histori, si futbollisti i parë shqiptar që luan në Copa Libertadores. Sulmuesi debutoi në turneun që është ekuivalent i Champions në Amerikën Latine, në fitoren 5-0 që skuadra e tij, Bolivar regjistroi përballë uruguaianëve të Wanderers, duke siguruar një biletë në […]

17 March, 2021 13:15 | 0 Komente
Aktualitet

ANALIZA: Serbisë dhe Malit të Zi u ofrohet rrugë më e shkurtër për në BE

Në Bashkimin Evropian janë duke vazhduar përgatitjet që Mali i Zi dhe Serbia të përfshihen në metodologjinë e re të zgjerimit të bllokut, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2020. Në një dokument të brendshëm, të përgatitur nga Komisioni Evropian për shtetet anëtare, janë paraqitur hapat përmes së cilave edhe Mali i Zi dhe […]

17 March, 2021 13:04 | 0 Komente
© 2021 Gazeta Tema. All Rights Reserved
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.