
I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë ka deklaruar se diplomacia ndërkombëtare është thelbësore për t’i dhënë fund luftës 10-vjeçare.
Geir Pedersen i tha Këshillit të Sigurimit se është e rëndësishme të vendoset një format i ri për të bashkuar kombet kryesore që kanë një ndikim në konflikt, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Iranin, Turqinë, shtetet Arabe dhe Bashkimin Europian.
Pas vizitave të fundit në Rusi, Siri dhe Turqi dhe bisedimeve virtuale me partitë e tjera se si të mund të çohet përpara një proces politik, ai tha se është koha për “diplomaci të qetë”.
“Me kalimin e kohës, mund të na duhet të përpiqemi të vendosim një mjet të ri diskutimi ndërkombëtar, një format të ri ndërkombëtar për diplomacinë dhe bashkëpunimin e nevojshëm,” tha Pedersen në konferencën e tij virtuale nga Gjeneva.
Duke folur para gazetarëve, ai tha se nuk ka vendosur ende për një format, por “është e rëndësishme që ne të krijojmë këtë format të ri ndërkombëtar në një mënyrë që bën bashkë të gjitha palët e ndryshme që kanë një ndikim në konflikt.”
Rusia, Irani, Turqia dhe SHBA-ja janë të përfshira ushtarakisht në Siri dhe duhet të përfshihen në një përpjekje të re ndërkombëtare përveç vendeve arabe, BE dhe të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, duke shtuar Kinën, Britaninë dhe Francën, tha ai.
Që kur lufta civile e Sirisë shpërtheu në 2011, ka pasur shumë tubime të nivelit të lartë të për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të udhëhequr Sirinë drejt një tranzicioni politik, raporton abcnews.al
Destinacionet përfshinin Stambollin, Parisin, Romën, Vjenën dhe Gjenevën, përfshirë asambletë si “Miqtë e Sirisë” dhe “Londra 11”. Në vitin 2016 ishte “Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes ndaj Sirisë”. Asnjë prej tyre nuk pati ndikim.
Pedersen tha se janë ende “ditët e para” për administratën e Biden dhe duhen diskutime më të thella me të gjitha palët përpara se të fillojë një format i ri ndërkombëtar.
“Çelësi për mua është që të gjithë këta persona të ulen dhe të bisedojnë për një politikë serioze rreth Sirisë bazuar në mirëkuptim pasi askush prej tyre nuk mund të diktojë rezultatin në konfliktin sirian,” tha ai.
Duke e quajtur atë një “përvjetor të zymtë”, Pedersen tha se konflikti sirian, në të cilën janë shënuar 500,000 viktima ka zgjatur “përafërsisht sa Lufta e Parë Botërore dhe Lufta e Dytë Botërore së bashku”.
“Populli sirian është një ndër viktimat më të mëdha të këtij shekulli,” tha ai. “Ata kanë parë vendin e tyre në skamje dhe do të duhen breza për ta rindërtuar.”
Pedersen vuri në dukje korrupsionin, keqmenaxhimin, sanksionet dhe rënien ekonomike që ka lënë nëntë në 10 sirianë të jetojnë në varfëri. Ai tha se sirianët duhet të negociojnë për zgjidhje në një proces të udhëhequr nga Siria i thirrur nga Kombet e Bashkuara për të zbatuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të miratuar në dhjetor 2015.
Rezoluta, e miratuar në Gjenevë më 30 qershor 2012, nga përfaqësuesit e OKB-së, Arabia, BE, Turqia dhe të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, miratoi unanimisht një rrugë për paqen në Siri.
Ai bëri thirrje për krijimin e një organi qeverisës, i ndjekur nga hartimi i një kushtetute të re dhe përfundimi me zgjedhjet e mbikëqyrura nga OKB.
Nevojitet një përpjekje ndërkombëtare
Por Pedersen tha: “Unë jam plotësisht i bindur se nuk do të ketë përparime nëse një proces i udhëhequr nga Siria nuk mbështetet nga një diplomaci konstruktive ndërkombëtare mbi Sirinë.”
Me një mungesë besimi midis sirianëve dhe midis rivalëve kryesorë ndërkombëtarë duhet gjetur një mënyrë “rreth sindromës ‘ju të parët’ që karakterizon shumë diplomaci në Siri.”
Pedersen tha se ndërhyrjet në zhbllokimin e progresit në lirimin dhe llogaritjen e të arrestuarve, rrëmbimeve dhe personave të zhdukur do të ishte “një gjest i rëndësishëm humanitar, një ndërmjetësues jetik i besimit, një sinjal për të gjithë sirianët në kontekstin e diplomacisë ndërkombëtare”.
Lëvizja për thyerjen e ngërçit në hartimin e një kushtetute të re mund të jetë gjithashtu “një bllok bashkëpunimi brenda Sirisë”, tha ai. Raundi i gjashtë i bisedimeve midis qeverisë dhe opozitës duhet të jetë ndryshe në krahasim me bisedimet më përpara, përfundoi Pedersen.(abcnews)