
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, shpalli nisjen e fushatës në Elbasan, pas një takimi me të gjithë kandidatët për deputetët të këtij Qarku në një prej hoteleve të qytetit.
Patozi tha mes të tjerash se lista e Bindjes Demokratike në Elbasan përfaqëson më shumë se kudo tjetër etjen dhe vrullin e rinisë shqiptare për ndryshim, në një kohë depresioni politik të shkaktuara nga forcat e vjetra politike.
“Në asnjë qark tjetër nuk kemi një lisitë me kaq shumë kandidatë të rinj sa këtu, dhe unë kam bindjen se ky do të jetë celësi i suksesit tonë në Elbasan.
Ne kthehemi në këtë qytet dy ditë pas atij incidenti të shëmtuar gjatë festimeve të Ditës së Verës, kur ende nuk është shuar jehona e asaj shijeje të keqe, që ajo la, jo vetëm për qytetarët e Elbasanit. Dhe të mendosh që kjo festë në qytetin tuaj ka 200 vjet që festohet dhe kurrë nuk kishte ndodhur diçka e tillë.
Jo më kot një nga televizionet e Tiranës raportoi në edicionin e saj të lajmeve që e vetmja parti normale që u shfaq në Elbasan për ditën e verës ishte Bindja Demokratike.
Në fakt, ne nuk bëmë asgjë për t’u shënuar dhe as për t’u mburrur, thjesht respektuam qytetin dhe festën e ditës së verës. Por puna është se ata që u kacafytën i dhanë një provë tjetër Shqipërisë se përfaqësojnë politikën e degraduar të dekadave të fundit, e cila nuk mund të jetë zgjidhja, por është problemi. Ndaj edhe është fare pa vlerë përpjekja e tyre për t’ia hedhur fajin njëri-tjetrit, sepse janë njësoj si në mendësi, ashtu edhe në sjelljen e vet politike.
Bindja Demokratike po shkon në këto zgjedhje si alternativa e tretë për shqiptarët e shumtë që po presin ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin më 25 prill.
Projekti ynë transformues, integriteti i lartë moral dhe politik i 153 kandidatëve, si dhe lista 100 përqind e hapur, na bëjnë të jemi oferta më e mirë për shqiptarët në këto zgjedhje”, përfundoi Patozi.
Ndërkohë, udhëheqësi i listës së kandidatëve, zoti Erjon Murataj, tha se për 30 vite Shqipëria është udhëhequr nga një politikë “shterpë”, e cila ka sjellë vetëm prapambetje, progress reporte të nxira, 30 vite tranzicion dhe sot nuk kanë se çfarë të ofrojnë më. Ai u shpreh se pas këtij zhgënjimi, Bindja Demokratike, veçanërisht Astrit Patozi, u dha mundësinë njerëzve të thjeshtë, që të jenë përfaqësues të vendeve nga ata vijnë, për ndryshimin e Shqipërisë. Zoti Murataj tha së fundmi se me shumë punë edhe dëshirë ata do të arrijnë të jenë drejtues të politikës.
Takimi u mbyll me ceremoninë e nënshkrimit të angazhimit solemn për respektimin e listës së hapur, ku të gjithë kandidatët firmosin, që mandati i shkon atij që merr më shumë vota preferenciale se të tjerët, pavarësisht numrit të tyre në listë.